top of page

AUTHOR - ELLISSE

KUR UNË TË MOS JEM ...Edlira Jorgji Doko

 

Ndoshta do më kërkosh një ditë,
atje, tek "Çesma e Kryqit", në të dalë,
ndiqe, ndiqe rrjedhën e mos ki frikë,
sipër ujit do gjesh një letër të bardhë.

 

Mos e lexo në moment, agun prit,
në të gdhirë, kur del vesa e larë,
në barin e njomë të porsambirë,
shtrihu mbi ëndërr, mbi rrezen e artë...

 

E mos qaj, se jam aty pranë,
por oh, lotin tënd fshije me timin,
e mos mendo kurrë që të lashë,
kështu ma largon dhe mua trishtimin.

 

Kur një ditë për mua të marr malli, 
në mëngjes kalëro erën e marrë,
dhe kur mbi mal të dalë dielli,
ti eja, vetëtimthi me dritën e parë.

 

Kur një ditë të mungoj zjarri im, 
e gjen atje tek vendi ynë, në krua,
në këngët tona, në pëshpërimat e fshehta,
që qeshin plot hare, me ty, me mua.

 

Kur një ditë unë të mos jem më,
do të ndiesh ajrin të të mungojë,
por mos u ligështo në shpirt, jo,
do të jemi larg për pak kohë....! 

 

AUTHOR -ELLISSE

bottom of page