

poete bashkëkohore dhe pëkthyese
EDLIRA JORGJI DOKO
Nëpër vargjet poetike të Edlira Jorgji Dokos
Nëpër vargjet poetike të Edlira Jorgji Dokos
MIHO GJINI
Duke lexuar romanin e mikut tim të ri, të shkrimtarit Thanas Medi, i cili tërhoqi vëmendjen e një jurie kombëtare dhe të lexuesit të gjerë, do të më rrëmbente emocionet figura e një vajze të mëvetshme, që autori e vendos aty si një “lule të egër”, e cila mbinë nëpër gërxhe malesh të thepisur e buzë përrenjve e lumenjve të rrëmbyer: Katerinën! Ajo i ka të gjitha gjasat që i fal natyra: bukurinë, dlirësinë, krenarinë, mençurinë, ndjesinë e shpirtit, sensualitetin, por edhe diçka të kundërt me vetveten: është edhe kundra të gjithëve!
Nuk di sesi m’u përafrua me këtë personazh të Medit, një poete e panjohur, që jeton larg dhe që, duket e zhduket nga interneti, apo nga faqet e ndonjë gazete, me profilin e saj të bukur, me një trill femëror të mistershëm, me vargjet erotike që krijon e i lidhë kaq natyrshëm, si të bënte vargjelulefushe, apo si reflekse të një bote shpirtërore të pasur, të një qielli poetik të ylbertë, po aq edhe kundër rrymës e ritmikës së zakonshme…
E quajnë Edlira Doko! Dhe, për habinë time, e se njëjtës “rrënjë e degë” me Katerinën e Medit dhe me vet Medin: Arumune! Është pra një vllahe e bukur, një grua që lëshon dritë nga drita e saj dhe një poete që i burojnë vjershat. Nomade dje dhe nomade sot. E lindur në një fshat të improvizuar vllehësh të Vlorës (Mekat i dytë), jetuar më pas në ish-fermën e Llakatundit, ku edhe mbaroi shkollën e mesme, e emigruar më vonë akoma në Greqi dhe prej andej në Itali, kjo vajzë, tashmë e bërë grua e me fëmijë, e mbylli ciklin e një “jete endacake”, në Verona, atje ku Shekspiri vendosi trillin e një dashurie të kulluar e të përgjakshme, si kurorë lavdie të Erosit. Dëshira për të shkruar poezi i erdhi vrullshëm Edlira Dokos, sikundër i erdhën në rinin e vet poetit të soneteve të famshme e të asaj tragjedie aq prekëse për njerëzit, kur armiqësia e veronezëve e kishte ndarë qytetin e rilindjes italiane në dy pjesë dhe ku urrejtja do ta vriste patjetër dashurinë.
Pikërisht në këtë qytet të dashurisë tragjike, Edlira Dokos, i zgjohet, i rritet e i forcohet ndjesia poetike, sensibiliteti ndaj së bukurës dhe një imazh që kërkon të shprehet në vargje. Nis të lexojë e të studiojë poetë të së shkuarës dhe të së sotmes. Me një etje të pashuar ajo shfleton Bodlerin e Bajronin, Pushkinin e Lermontovin, Gëten e Heinen, Aksakovin e Arversin, Livadhitisin, Lenaun, Lasgushin, Markon e Nolin. Në natyrën e saj të ndjeshme “u çel” perceptimi i së bukurës dhe etja e vrullshme për t’a shprehur atë, si një dhunti vetjake tashmë. Derisa arrin të botojë librin e saj të parë poetike “Nuk të dua, por puthmë…” dhe të përgatisë të dytin më të avancuar në vlera.
Në vargjet e saj buis dashuria, si një ndjenjë e fuqishme ripërtëritëse. E parë nga një vajzë e pastaj nga një grua… ”M’u shqye syri për jetë…”,-thotë ajo dhe shfaqet befas kundra të gjitha paragjykimeve.
Hapet…Pa ndroje…”Unë jam/drita dhe errësira”,-shkruan zonja Doko, “engjëlli dhe demoni/…jam poete dhe grua/nënë dhe femër/flladi dhe era/zëri dhe heshtja./ Mos m’i gjykoni!”. Pra, nuk do t’ia dijë se mund ta përgojonin, ta gjykonin, ta anetemonin e ta linçonin, kur shprehet hapet, pa ndrojë, me të gjitha ndjesitë e brendshme që ka një grua, me “telat e shpirtit” që vibrojnë, me ofshamjet erotikës dhe me vrullet e papërmbajtura që merr një zemër. Duke qenë një poete-grua, Edlira Doko, s’ka si mos të hyjë e të perceptoje ëmbël botën e saj, përbrenda një shpirti të ndjeshëm që i pulson pareshtur, që regëtin nëpër rremba gjaku që, herë “lidhë sythe” në degëzime e herë shpërthen si llavë vullkanësh. E zjarrtë ajo, e papërmbajtur, sensuale, shfaqet në ditët e jetëve tona si një Safo Greke. Pa enigma, e thjeshtë, e vërtetë, dhe e bukur. Sa rrezatuese, aq edhe e mbyllur. Me të gjitha pamjet dhe daljet që ka Universi.
Një botë e njerëzishme, me trazimet e veta të shpirtit, me feminilitetin e jashtëzakonshëm që fal ndjenja e saj si grua, pa e trazuar llogjiken. E quan veten “një grua prej flake!”, e cila “ka përpara/një thellësi Universi/ me jehonë të verbër/ pa zëra/ e fjalë..”. E pastaj shpërthen: ”Hapi dritaret,të hyjë era, siç ma ka ënda/të kujtoj ditën e atëhershme, kur të putha e ika!”.Pra, ajo është vet “era”, flladitëse, e tërbuar,e çoroditur, në vlagën e saj me të thellë të dashurisë njerëzore, gati e papërmbajtur….”Sa herë të thashë,-gati këlthet ajo,”një jetë do rrojmë,/Se në tjetrën shpresat janë të kota!”.
Koha, me zhvillimin e saj emancipues, në trajtën me sugjestive pikon edhe në artin poetik, duke sjellur një të tillë feminilitet organik si ky i Edlira Dokos. ”Poezia që zjen brenda meje,-thotë ajo,/më bën të ndjehem femër/….Dhe me tej: ”Me puthjen tende do të ndez një zjarr!”…Sepse ka një “pasion çmendurak nëpër deje”, kjo “grua prej flake”…
Gjithçka lind e vdes nga natyra. Edhe tek poetja jone është natyra që e zgjon e i jep krahë të fluturojë. E intereson bota përreth saj, si qytetare aktive, pa e ndarë nga vetja; sheh “misteret trazuar me intriga (e) i duket sikur bota ndalon frymën në ajër/ (me) shpresat varur në gozhdën e fatit/ dhe muri i Berlinit u ringjall/. Poetja ka një të vetëndjerë romantik ndaj natyrës dhe kërkon që ajo, natyra, të jetë në funksion të dëshirave e të imazheve të saj. Metaforat që vijnë nga natyra rrethuese e nga njerëzit, janë të pranishëm ngado e kudo në vargjet e poetes Doko..(“Një stuhi yjesh/u mblodh grusht/, si vetëtima /qëlloi drejt e në zemër,/ më bëri për vehte, më bëri të tijën?”)…“E dëgjoni erën si pëshpërin,/dhe degët e gëzimit si/lulëzojnë?/”,- u thotë ajo të gjithëve që ka përball vetes, që ta dëgjojë edhe vetvetja. Dhe kërkon që “cdo zgjim/të vadis, si një trëndafil!”. Ajo do që ta shpjerë era “ku serish do të më djeg i njëjti zjarr/e (te) më shuaj e njëjta stuhi/…Sepse “kjo dashuri e vlagt, pa fund/mall mbjell në shpirtin tim/ dhe tokat e egra, djerrë…/marrin flakë çmendurisht./”. Si bijë e natyrës, ajo hap “petalet”, si lulja mbi të çarat e shkëmbinjve, apo si më e rrallë e më e heshtur, si lulja në shkretëtirë: “Unë jam/lule që jeton në shkretëtirë/ me ty e ndaj edhe një bulëz vese.” Metaforat e ndihmojnë poeten që të shndërrohet, nga një “bulëz vese” në një ëndërrim pranveror, me një sfond të gjerë dhe universal: “Ka ëndrra /që flen në stinën e vjeshtës/ dimërojnë duke ëndërruar pranverë..” Ndërsa ajo, poetja, me frymëzimin e saj “mbledh lule/nëpër retë e bardha.”, në një kohë kur, mbi syprinën e detit pulëbardhat “krehin flokët e ëndrrës”
Mirëpo, poetja Doko, sikundër thamë, përpiqet të krijoj “Universin “ e vet e të dalë prej intimitetit të saj. Leximet e saj e kanë pasuruar në shpirtin poetik, pa rënë në plagjiaturë, -sikundër bien amatorët e poezisë, që çuditërisht vitet e fundit janë shtuar ca si shumë dhe që “mbyten” nëpër libra, me kapaqe llustrafine kartolineske, të cilat nuk i blenë njeri as për 10 lekë nëpër trotuaret e Tiranës, nga bukinistët e rrugës! Intimiteti në poezi ka të bëjë me ato “fijëza të shpirtit” që të zgjojnë indet e zemrës, po nuk është e gjitha..Gjithsesi ka bukurin e vete kur poetja i thotë të dashurit:”sonte, i dashur,/dehu me mua/…kësaj nate/që digjet në flakë,/dua dëshmitar vetëm yjet/dhe perënditë”. Ky kalim, prej temës intime në temat e medha të kohës behët i pjesshëm në pjesën e dytë të librit, kur ajo rradhitë disa nga motivet e rëndësishme të realitetit tonë, sikundër është ajo e Atdheut, e lirisë dhe e varfërisë që nisi eksodin e madh dhe ku arumunia Doko do ta ndjej përsëri veten në lëvizje, po këtë herë, jo mbi mushkat e muhaxhirëve të fisit të vet, po në një nga qytetet më të bukur të Europës, në Verona, ku u luajt episodi më tragjik i dashurisë dhe urrejtjes. Duke kujtuar Atdheun e saj, i hapet plaga e dikurshme dhe thërret:“Lërmëni vetëm në dhimbjen time,/sonte dua të kthejë një gotë vere/” dhe “me zemër të copëtuar/me jep shpresë të kthehem tek ti.”..Befas asaj i kujtohet fëmijëria e saj dhe e merr malli për “lotët e ngrira”, e prek mjerimi i dikurshëm migjenian dhe e zë “një trill melankolie”; ndjen tallaze në heshtje në këtë qytet të dashurisë ku ka ardhur e ku e pushton pesimizmi, hera-herës..Në faqet e fundit të këtij libri modest, ku ka edhe shumë poezi të parealizuara, ndjehet rënia e gjetheve në vjeshtë dhe trishtimi i “stinës së dimërit”, si edhe afrimi i një “muzgu” shpirtëror. Po është e njerëzishme edhe kjo, një frymë realiste e mëvetshme, kundrejt letërsisë së “lulkave” te trotuareve të Lanës.
Dhe Edlira jonë do të vijë përsëri pranë vargjeve “luleshqerra” të livadheve të vllehëve, për të shkruar edhe poezi burimore brilante, si ato të mikut tim Ymer Nurka. Kështu, edhe Edlira Doko, në një këngë me motiv popullor, me titullin “Për një puthje me sëmure”, do të sjellë një imazh baritor, ku dashuria është e virgjër, e çiltër dhe e flaktë, nëpërmjet vargjesh popullore brilante ( “A mban mënd, kur vije moj/ tek “Çezma e Fushës”?/ Mblidhja xixëllonja, moj/ dhe t’i hidhja gushës…”)
Poetja Edlira Doko, na imponohet tashmë me lirizmin e poezive të saj, që janë vërtetë te saj, të thjeshta, origjinale dhe eruptive…Këto vargje, të hedhura si kallëzat e grurit në lëmë e që i bëjnë kuajt të hazdisen, sugjestionojnë me ngrohtësinë e tyre, të japin ngazëllimin e verës dhe ngrohësin e Diellit, të prekin me sensibilitetin e feminilitetin e një gruaje të dashuruar me jetën.
Nëpër vargjet poetike
të Edlira Jorgji Dokos
SAFET HYSENI
Të shkruash për një poete nuk do të thotë ta njohësh, të kesh biseduar, të kesh festuar bashkë në ndonjë rast apo për ndonjë arsye banale të jesh sharë. Mendoj se mënyra më e mirë është të bisedosh me një personalitet të artit nëpërmes krijimtarisë qoftë ajo në vargje apo tjetër fare. Kësaj radhë zgjodha disa poezi të krijueses Edlira Doko, të cilat vërtetë më dhanë mjaft kënaqësi gjatë leximit. Ne shqiptarët nga do që jemi gati kemi fatin e njëjtë që të marrim rrugë të panjohura për të siguruar mirëqenie më të mirë. Ëndrra për jetë më të mirë me kohën ndryshon dhe neve përveç mallit dhe nostalgjisë asgjë më shumë se t’iu biem telave për të krijuar melodinë e mallit për vendin dhe të afërmit tonë. Poetja Edlira Doko gjithë mallin, dhimbjen e dashurinë na e sjell përmes personazhit më të dashur në gjithë rruzullin tokësor “Nënës”, e cila e bënë në mënyrën me të bukur artistike. Çdo poezi ka një moment, një copë jete në kalim apo në ëndërr në vazhdim. Këtë na e sjell edhe Edlira Doko me një mjeshtëri të rrallë me varg të lehtë, të lexueshëm dhe plot me ngjyra. Në poezinë “NËNË...”. ajo shkëput kujdesin e nënës për fëmijën nëpërmjet ëndrrës atje larg në mërgim:
“Më erdh'
në ëndërr nëna sonte,
lehtë - lehtë më mbuloi,
një puthje ndjeva ballit,
pastaj, pa u ndjerë, shkoi…”.
Të kaluarën apo kujdesin që ka nëna për fëmijën autorja na e sjell nëpërmjet një narracioni poetik me fjalë plot ngjyra e varg të lehtë e të lirë duke përdor ëndrrën. Çdo fjalë e radhitur bart mall e dashuri të pafund. Është mall e dashuri e ndërsjellë që nuk harrohet dhe nuk ka fund e kujtimi ruhet edhe nëpërmjet fotos që regjistrohet në bebëzën e syrit e që pastrohet nga lotët e nxehtë çdo çast kujtese.
“Kur lava faqen, në mëngjes
puthja dalëngadalë rrëshqiti,
mbi lotin tim nën qepallë
fytyra e saj në sy më ndriti…”
Edlira nëpërmjet të vargut kur fletë me nënën, sikur jep kumtin për të gjithë mërgatën shqiptare si një mesazh kujtese e dashurie për atdheun të cilit për arsye të ndryshme ia kanë kthyer shpinën.
Në poezinë tjetër që titullohet “NË GJIRIN TËND…” autorja si nëpër legjenda të moçme ka zgjedhur vargun e gjatë dhe me rimë për të shpreh gjithë mallin dhe dashurin. Në strofën e parë poetja e paralajmëron nënë për rrugën që ka marr për ta takuar si dhe vetit e saj që ka pasur kur ata kuvendoni bashkë... duke ia lënë dritaret hapur me plotë dritë... dhe në vargun e fundit kujton momentin e ndarjes dhe puthjen e fundit që patën ndërruar.“Të kujtoj, ditën e atëhershme, kur të putha e ika!”
“Më prit nënë, tek shkalla...mos hyrë brenda.
Po vij, me flladin e parë, sapo të çelë dita,
Hapi dritaret, të hyjë era, siç ma ka ënda,
Të kujtoj, ditën e atëhershme, kur të putha e ika!
Në strofën e dytë autorja përveç që sjell kujtimin e ndarjes edhe në imtësirat më të thella me një gjetje tejet artistike ajo tani bënë edhe lutje tek Zoti por na sjell edhe bekimin tradicional që e thonë nënat tona “marrsh nga jeta ime”. Poezi tepër të këndshme mallëngjyeshme dhe përplot magji na i sjell për nënën me mjeshtrin artistike dhe gjithë ketë e bartë nga thellësia e shpirtit.
‘Kujtim, kam lotin tënd në faqen time, edhe sot.
Sa herë ndiej mall, me dorë ia heq dhimbjen,
Lutem të jesh mirë, them: jepi jetë o Zot..!
Sa herë më thua: çupë, marrsh nga jeta ime!”
Në poezitë që shkruan autorja ku figura e nënës është në rolin kryesor përveç artit ka një emocion të fortë që depërton tek çdo lexues jo vetëm teka ata që në një apo në mënyrën tjetër kanë përjetuar ndarje por edhe te ata lexues që çdo ditë ndajnë dashuri dhe mall me nënat e tyre. Mënyra se si komunikon vargu me lexuesin është ngjitëse, e magjishme dhe me shumë ngjyra. Çdo strofë përmban nga një imazh pikture ku dëshmohet dashura dhe malli i madh për nënën dhe fëmijën.
“Sot, ta dëgjova zënë e drithëruar nga malli
Mundoheshe drithërimën ta fshihje me emocionet,
Hidheshe nga një degë në tjetrën, nga halli…
Por, unë jam brinja jote, t'i njoh mirë zakonet!”
Në këto vargje të thurura me plotë të dridhura e emocione autorja kalon në zanafillë me çka dëshmon jo vetëm për talentin por që e njeh mjaftë mirë zhvillimin e shoqërisë që nga antika kur thotë se “Por, unë jam brinja jote, t'i njoh mirë zakonet!”
“Më merr, nëna ime në prehër, më merr…
Në krahët e tu të dremis, si dikur fëmijë,
Ngela ajo e vogla, nuk rritem asnjëherë,
E ndonëse jam vetë nënë ...kërkoj tëndin gji!”
Fëmija për nënën në çdo moshë mbetet i vogël, por edhe nëna kurrë nuk plaket për fëmijën andaj autorja me një mjeshtëri të rrallë krijon vargun; “Më merr, nëna ime në prehër, më merr…” për të vazhduar “Në krahët e tu të dremis, si dikur fëmijë, /Ngela ajo e vogla, nuk rritem asnjëherë,” dhe për të përfunduar me një afsh dashurie e malli; “E ndonëse jam vetë nënë ...kërkoj tëndin gji!” Këto vargje të mrekullueshme çdo njërin e mbushin me mall, emocione dhe dashuri. Edlira Doko ka krijuar mesazhin më të fuqishëm për dashurinë për më të shenjtën e familjes “Nënën”! Këto ndarje nuk i ka përjetuar vetëm autorja por fal dhëntisë së saj, talentit dhe komunikimit me muzat e fjalës së bukur autorja ka krijuar perlat me të bukura që ia ka kushtuar nënës.
Edlira Doko ka shkruar shumë për nënën mbase nëpërmjet figurës së saj ajo e shpreh më mirë mallin për fenomenin ndarje që ndodh tek shqiptarët jo vetëm në Shqipëri por edhe më gjerë. Për të marr në analizë të gjitha vargjet e saj do duhet shumë kohë por një poezi që mund të thuhet perlë dhe që jep një mesazh (porosi) të fortë është poezia “DASHURIA PËR TY”- Nëna është hyjnore, është mbase më e shtrenjta dashuri, për atë flokëbardhë autorja ka mall, por floku i saj është i argjend. Ajo kërkon të dijë se sa thinja i ka bërë nënës dhe në cilën thinjë ka zënë vend emri i saj, dashuria e saj, sa rrudha dhe në cilën ndodhet fëmija i saj i dashur që ndodhet atje larg... Në formën e pyetjes ajo zhvillon një dialog me më të dashurën dhe është më se e vetëdijshme se në zemrën e nënës ka hapur plagë, se nëna vetëm për fëmijën digjet flake.
“Nënë, e shtrenjta nënë, hyjnorja dashuri,
Flokëbardha si argjend, jam larg dhe kam mall,
Tregomë: në cilën thinjë kam zënë vend tek ti,
Thuamë se cilën rrudhë ta shtova përmbi ballë...
Dashuria për nënën nuk plaket, as nuk tretet dhe as nuk zvogëlohet. Në vargjet në vazhdim autorja sërish i drejtohet nënës duke i treguar se është larg dhe tretet nga malli, por nga mendja e saj çdo çast ajo i nisë puthje bashkë më dritën se nëna është dritë. Është mbase e vetëdijshme se loti i nënës rrjedhë. Mjeshtëria e krijimit të vargut duke bartë emocionin shpirtërore me imagjinatën e saj prej udhëtari të largët shprehet: “E di që gjithë jetën kam mbetur vogëlushe” ndërsa malli dhe dëshira e madhe për ta takuar në; “Të puth duart e tua dhe lotin përmbi sy”, autorja këtë poezi me tetë vargje me rimë tejet të qëlluar me metafora dhe figura poetike që kumbon dhimbja e ndarjes deri në qiell na e sjell nga thellësia e shpirtit dhe troket në çdo zemër nëne e fëmije me porosinë të duam dhe vetëm të duam nënën, të luftojmë dhe të luftojmë ndarjet që kanë shkaktuar aq dhimbje dhe aq mall e lot nënash.
“Je larg dhe po të nis, një puthje bashkë me dritën,
Të puth duart e tua dhe lotin përmbi sy,
E di që gjithë jetën kam mbetur vogëlushe,
Por e di që gjithë jetën zgjat dashuria për ty...
Edlira Doko tani më me vargjet e saja din çka kërkon dhe çka dëshiron të arrij. Thellë në zemrën e saj është jeta, ajo dëshiron që nëpërmjet vargut të sajë të sjell jetën me të gjitha peripecitë. Dhe jetës po nuk i fale dhe po nuk ece rrugës së dashurisë ajo me pahir ta kthen shpinën, të errësohet rruga, nata bëhet e tmerrshme e dita mund të kalojë në natë. Dy motive të fuqishme e përcjellin poezinë e saj dhe që të dyja puqen tek dashuria. Dashuria për nënën dhe dashuria si pasion, si përjetim erotik. Kjo e dyta tani më ka krijuar një Edlir fare tjetër, një autore që e din se çka duhet dhe çka e bënë të lumtur. Por bije pyetja se cilën duhet të bëjë të lumtur dhe përse autorja na e shpalon gjithë përjetimin? Jeta është dashuri, dhe po t’i mungoj dashuria është e rëndë. Autorja nuk donë të jetë viktimë e paragjykimeve dhe përjetimin e saj me shumë figura poetike dhe metafora të qëlluara me varg me rimë dhe me një melodi të lehtë që tingëllon në vesh dhe të pushton zemrën e shpirtin na e sjell në poezinë: “NDIZESHA UNË…DIGJESHE TI…”
NDIZESHA UNË…DIGJESHE TI…
Ku s'më shkoi mendja mua,
kur në ishull bëmë dashuri,
si të marrë, e si të zhuritur,
ndizesha unë... e digjeshe ti...
Buzët tharë...shpirti uritur
sytë zjarr, si dielli në behar,
porsi një shegë e plasaritur,
gjinjtë e mi të ofronin nektar.
Gjethet binin një nga një
mbulonin trupat tanë në qetësi,
natën sfidonim tek rënkonim nën zë,
ndizesha unë...digjeshe ti.
Në këtë poezi që ruhet pasioni nga vargu në varg, se dashuria pa pasion as që mund të quhet e tillë autorja sikur donë ta përcjellë te çdo çift që jeta të ketë kuptimin e vërtetë. Dhe e gjithë kjo ndodh në natyrë, atje ku era të përkëdhel, ku gjethet të bëhen shtroj, ku dëgjon cicërimën e zogjve, se natyra është plot shije dhe si e tillë duhet dashuruar e jetuar.
Në poezinë e dytë që po iu sjellë këtë radhë: “NË ISHULL..”, kemi po të njëjtën ritëm që ndezë pasionin për të bërë dashuri. Me sa kuptojmë natyra është tepër stimuluese për autoren e këtyre vargjeve, por qëllimi i saj është të dëshmoj se po të dashurohen dy zemra shtrati për të bërë dashuri nuk mungon. Me këto vargje të çiltra; “Bëmë dashuri e aty fjetëm, përjashta,
mbulesë kishim qiellin, e ëndrra plot..
poshtë tokën, dyshek me aromë sherebeli,
Aty ,aty, çelen lulet, në një pikë lot... jo dëshmon se këtu mund të filloj edhe embrioni i një luleje që është frytë i dashurisë. Dhe këtë mesazh ajo na e zbërthen në vargjet e fundit me një kolorit të zgjedhur ku përshkruan një realitet të magjishëm poetik. Vargu i fundit ruan edhe dëshirën e madhe të çifteve shqiptare; “Me siguri, me siguri do të jetë djalë!” Edlira Doko shkruan varg të kuptueshëm, me shumë figura e metafora, herë të lirë e herë me rima por që është tejet i lezetshëm dhe në brendi të saj ka idilin dhe dashurinë për jetën dhe familjen. Vargu i sajë është vlerësuar nga kritika letrare dhe është udhës së mbar që të lejë gjurmë të pashlyera në letërsinë shqiptare, ndërsa këtë e ka bërë me vargjet kushtuar “Nënës” dhe dashurisë për njeriun dhe për të bërë zemrën të lumtur.
Nëpër vargjet poetike të
EdliraJorgji Dokos
VASIL TABAKU
TË LINDË POEZIA – Mbi krijimtarinë poetike të EDLIRA DOKOS- / nga VASIL TABAKU
Të shkruash, të ndërtosh një univers të tërë poetik dhe, përmes poezisë të bësh botën tënde poetike. EDLIRA DOKO, është një poete surprizë, e vërtetë, shpërthyese dhe sugjestionuese. Me vargjet ajo ka ndërtuar një univers të sajin krijues, që me pak fjalë, do ta cilësoja të mrekullueshëm.Emrin e Edlira Dokos e ndesha së pari nëpër gazetat ditore të Tiranës, “Tirana Observer”, “Telegraf” , revista “OBELISK” dhe botimet “ADA” "Horoskopi"...etj. Profili i saj krijues shfaqet dinamik, i veçantë dhe me një vokacion të rrallë jugor.Edlira vjen nga zemra e Labërisë dhe brenda poezisë së saj gjen lulëzim melodia popullore, ndërtuar me art dhe profesionalizëm në gjithë opusin e vet poetik.Bota e saj e madhe dhe e thellë shpirtërore, përmasat e një dashurie mitike për Shqipërinë dhe vendlindjen , njeriu me gjithë botën e tij shumëdimensionale dhe natyra magjike janë ndoshta bazamenti i fuqishëm dhe plot jetë i poezisë së saj origjinale. DRITA QË BURONË SË BRENDËSHMI DHE POEZIA Poetja Edlira Doko, është sa e vetvetishme aq dhe orgjinale, sa narrative aq dhe dinamike, sa tradicionale aq dhe moderne.Në të gjithë poezitë e saj seç ka një dritë të brendëshme, një rrezatim magjik që nuk shquhet menjëherë por ajo vjen dalëngadalë, e plotë, solide, e sigurtë dhe me një theks diellor, por edhe me atë floririn magjik të hënës….Aty zë fill edhe çiltërsia e saj, një dlirësi që të bën për vehte dhe të befason. NESËR Ndodh të shoh ditën, ngarkuar mbi shpinë, orët stok të mëngjesit plot jetë. E niset pa destinacon, të mbledhë buzëqeshje, të korrë ëndrra, të puthë lotë. Poshtë një qielli të pasigurtë, deri në mbrëmje vonë. Kështu, e raskapitur, numëron plagët, dhimbjen e gjatë, duke thënë: Nesër do jetë më bukur! Në vargjet e poetes jeta, ka privilegjin të jëtë tepër e pranishme, shpesh duket sikur autorja përdor vehten si një simbiozë artistike poezi – jetë që na bën ta përjetojmë shumë afër, dhe shumë thelllë në shpirt. Autorja, “luan” bukur me elementët jetikë dhe ndërton poezi befasuese, ku në të gjithë shtrirjen e saj krijuese poetike jeta mbetet thelbi i krijimit dhe artit të fjalës. Edlira është padyshim dhe një mjeshtre e kumtit poetik. Ky kumt vjen si rezultat i përvojës së saj jetike, përjetimeve të shumta që nga mosha e fëmijërisë, adoleshencës, më vonë njohja e dashurisë së vërtetë dhe dimensioneve të jetës me gjithë dramat dhe dhimbjet e saj.Poezia e kësaj autoreje, në shumë raste shfaqet si një copëz jete reale, e prekshme dhe mjaft e freskët, aq sa shpesh duket sikur ti si lexues je pjesë e saj, një copëz jetë e skalitur mjeshtërisht nëpërmjet vargjeve. Ndaj dhe poetja, në një dilemë të përhershme, pyet e shqetësuar pse jo dhe mosbesuese : CILIN TË BESOJ ?… Dikush tha: -jeta është si buka, Një tjetër : - jeta është një lojë, Pasqyrë, - belbëzoi era, Mësim e përulësi, - bërtiti dikush në sallë, Qesh e loz nën shi, - oshëtiu qielli,... Edlira Doko e shpall dlirësinë e saj me dinjitet dhe art. Feminiliteti i saj poetik është një ndërthurje befasuese dhe plot fshehtësi sa njerëzore aq dhe mistike, sa natyrale aq dhe futuriste, sa irreale aq dhe e prekshmë. Në këtë perfomancë të madhe ka një orgjinalitet tronditës që të rrëmben dhe të mbush me një bukuri të fshehtë, të paparagjykuar dhe të besueshme. Shpesh të duket sikur nuk je duke lexuar një poezi, por thjesht je duke biseduar ngrohtë, imtësisht dhe çiltërsisht me Edlirën…E gjithë kjo është sendërtuar bukur, pse jo dhe mjaft mirë profesionalisht ,duke sjellë kështu një risi në laminë e re poetike.Kjo risi në poezinë e Dokos shpallet thjeshtë, pa zhurmë, modeste por tepër e bukur dhe mbresëlënëse.Poetja në proçedimin e saj poetik kërkon shumë, ajo nuk mjaftohet me ca konstatime rastësore. Opusi i saj krijues shtrihet tepër thellë dhe natyrisht, autorja rend nëpër rrugën e vështirë të poezisë duke zgjedhur margaritarët e fjalës poetike dhe asnjëherë nuk të zhgënjen… DASHURIA SI NJË MUNDËSI E KRIJIMIT Dashuria në poezinë e Edlira Dokos është një univers më vehte, një shpërthim i fuqishëm ndjenjash të bukura plot dritëhije. Eleganca e fjalës poetike të befason, por njëherësh edhe të motivon dhe të krijon emocione të rralla dhe të dridhëshme, ashtu sikundër është në të vërtetë dashuria. Doko, duket se i jep shumë jetë dhe frymë dashurisë si motiv dhe si ndjenjë e shpirtit njerëzor dhe si magji e ëndrrës së bukur. Autorja frymon brenda dashurisë dhe e ndriçon atë me dritëzat e saj të brendëshme në një mënyrë vërtetë tronditëse dhe të mistershme, të ngrohtë dhe të thellë, të afërt dhe të largët…Dashuria në poezitë e saj është padyshim një zbulim poetik, orgjinal dhe rrëmbyes. KUR S’TË KAM PRANË... Ti nuk e dije se puthjet janë pranga, ndaj atë mbrëmje puthje si i babëzitur… Kur u kujtove, kish kaluar mesnata, e djalërinë e kishe humbur papritur… Ti e dije që lotët janë dashuri-dhimbje Ndaj më thua: s’dua të të shoh duke qarë, Po ja, më mbërthen ky malli ndonjëherë, e përlotem fshehtas, kur nuk të kam pranë! Dashuria, një planet i madh rrezëllitës, plot enigma dhe psherëtima, plot këngë dhe zjarr, plot puthje dhe pasion…E pra i gjithë ky universe shpirtëror në poezinë e Edlira Dokos merr kuptim të veçantë,me një ngazëllim tepër domethënës dhe pse jo, më shumë se orgjinal... Për ta bërë këtë ndjenjë hyjnore sa më të prekshme e tokësore poetja ka përdorur një arsenal të gjerë metaforash dhe stilemash poetike që shpesh të befasojnë dhe të rrëmbejnë nëpër fshehtësitë e mistershme dhe magjike të botës së madhe të poezisë lirike të dashurisë.Ajo ka një gjuhë të ngrohtë, femërore, gati fluide, një arsenal i vërtetë i gjuhës poetike që materializon këtë univers poetik për dashurinë… SINTAKSA POETIKE SI SHPREHJE E KONCENTRUAR E VLERAVE TË ARTIT POETIK Poetja DOKO, ka aftësinë e veçantë të përdorimit të një sintakse poetike mjaft shprehëse, domethënëse dhe profesionale. Ajo që i bën disa poetë të shndërrohen në një rutinë poetike është padyshim mungesa e një sintakse poetike të zgjedhur, elegante dhe të lëmuar. Edlira mendoj se e njeh mirë sintaksën në vetvehte si një element përbërës gjuhësor. Një veçori e poetes Doko mendoj se është dhe dashuria për gjuhën e zonës ku është lindur e rritur dhe njohja e fjalorit të pasur të LABERISË, e cila sikundër dhe e kanë pohuar edhe gjuhtarët tanë të mirënjohur, zotëron brenda meslosit të saj ( pra folklorit, këngëve dhe ligjërimit të drejtpërdrejtë) një univers sintaksor të fuqishëm, të larmishëm, shumë të pasur dhe tepër poetik. Pikërisht këtë thesar të zonës së vet, Edlira ka ditur ta vërë në shërbim të poezisë së saj me efikasitet e me elegancë. Poezia e Dokos përmban brenda vehtes atë tharmin e veçantë të ngjizjes poetike, e cila gjendet rrallë npër poetët e brezit të saj, ku shumica abuzojnë me vargun ose janë thjeshtë ca plagjitë të paaftë. Lirikat e Edlira Dokos nuancojnë, përkatësisht synojnë vlera të arrira, që shoqërohen me saktësi në trajtimin e proceseve shoqërore e politike, por që janë veshur me një petk estetik, duke e bërë këtë krijim si vlerë më të stërholluar dhe si poezi më të pranuar. Qartë poezitë e kësaj autoreje të talentuar janë rezultat i një refleksioni mbi realitetin ose në të kundërtën është ndikim i një refleksioni nga realiteti i gjithëmbarshëm shoqëror e politik që kaloi vendi ynë në përgjithësi, apo nga situata të caktuara siç e gjejmë te poezia : "FEJA E SHQIPTARIT ËSHTË SHQIPTARIA." Do të doja të paketoja historinë nëpër zarfe lidhur me fjongo ngjyrë kuq e zi.. pastaj ta postoj: myslimanëve kristjanëve.. me thënien e Pashko Vasos: "Feja e shqiptarit është shqiptaria". Tipi i poezisë së shkurtër është një tipar dallues, të cilin autorja e ka përpunuar me sukses, gjë që jep për të besuar për një perfeksionim të arrirë të mendimit poetik. Poetja, është e vetvetishme, spontane dhe poezia e saj përshkruese si drita. Ajo duket sikur nuk lë gjurmë, por në të vërtetë lexuesve iu ka lënë gjithë gjurmët dhe mbresat e poezisë së saj të mrekullueshme… “E PUTHMË SONTE”… Ah, perëndimin e diellit nuk e dua, Që në vogëlì, errësirën e kam pasë frikë... Ndizmë o shpirt me të puthurat e tua, Të marrësh flakë, të bëhem dritë... Një dritëzim magjik, me fjalë prej dielli dhe më ndriçim të fshetë shpirtëror…Poetja krijon asosacione të rralla plot të papritura ku fjala poetike ndjehet e çlirtë dhe befasuese e mbushur me nektar dashurie. Mendoj se pikërisht ky dritëzim i brendshëm përshkrues është një element dallues i kësaj poeteje të vecantë . Edlira ka respekt të rrallë për fjalën dhe di ta vendosi atë në vendin e duhur plot hire dhe feminilitet, plot sharm dhe elegancë.Fjala në poezinë e saj ndjehet e lirë, dominuese dhe tërheqëse, dinamike dhe e dlirë. Në këtë univers poetik të krijuar me shumë pasion dhe durim nga poetja Doko, duket sikur gjithë ai burim drite i fshehtë të depërton thellë në zemër dhe të rrëmben nëpër shtigje ëndërrash ku “të detyron” të dashurosh dhe të fluturosh, të thërrasësh fort dhe të ledhatosh imtë, të belbëzosh dhe të këndosh…Edlira, duket se ka gjetur kështu sekretin për t’i dhënë dritën e saj të brendshme e të fshehtë lexuesit përmes poezisë së saj të ndjerë dhe të realizuar bukur… FEMINILITETI POETIK DHE BOTA Edlira Doko është vërtetë femër në të gjithë lëndën e poezisë së saj. Feminiliteti shfaqet nën një tis të trendafiltë, të plotë dhe më shumë mistere, i bukur, elegant dhe tundues.Shpesh ky feminilitet poetizohet gjer në një magji…. Mos ma lerë këtë natë në terr , Përzije të ftohtin, zemër, të mos vuash, Se në botë jemi si një gotë me verë, Bëhet uthull sado e sido që ta ruash. Dhe lëkura vyshket, forcat lënë me kohën, Dallgët e jetës veshin thinjat e bardha. Dhe të duam, stinët nuk i ndryshojmë dot, Jemi kalimtarë në jetë, si gjithë qeniet e gjalla. Ndaj puthmë sonte, puthmë si atëherë, Kur si çapkën më mbyte me puthjen e zjarrtë, Puthja çdo moshe i sjell veç pranverë, Puthja e magjishme bën çdo stinë të artë. Në këtë poezi spjegimi do të ishte i tepërt pse jo dhe prozaik. Unë do të thosha se është një mision që femrat poete të shkruajnë si femra, ku feminiliteti të shpallet bukur, elegant dhe me shije, plot art dhe magji dhe jo femra poete të shkruajë si një mashkull i vrazhdë vargje të rënda plot deklarimë bombastike dhe të forta… Në poezinë e Edlirës është femra me magjinë e delikatesës së vet, është gruaja, është vajza dhe padyshim është nëna me të gjitha dimensionet e veta.Shpesh poezia e saj me tërë atë botë të madhe femërore, duket sikur ka marë tiparet e portretit të autores, të buzëqeshjes së saj të ngrohtë dhe shprehëse, por në disa raste, pse jo edhe timbrin e zërit të saj…Kjo padyshim do të thotë t’i japësh jetë poezisë, t’i japësh shpirt, t’i japësh vetvehten, dritën tënde të brendshme dhe magjinë e zemrës tënde poetike. Edlira Doko e ka arritur këtë me mjaft sukses dhe dinjitet, me profesionalizëm dhe përkushtim, me punë të gjatë e të lodhshme dhe me shumë pasion e dashuri…