LABËRIA IME-Edlira Jorgji Doko
- edlira jorgji doko
- 18 gen 2016
- Tempo di lettura: 1 min

Sot, do t'i këndoj Labërisë time, me dashuri, ëmbëlsi dhe shpresë, është ëndërr që jeton brez pas brezi, është trashëgimi që nuk vdes.
Do t'u këndoj atyre maleve , mbushur me shqopa dhe gjineshtra, dheut që di të lindë vetëm trima, për atë ndiej dhimbje në eshtra.
Ndër vite ka luftuar e ëndërruar, ka qarë, burra, gra e fëmijë, kapedanë me zemër stërralli,
yje me gjak safi.
Dhe emigrimi, nuk pati mëshirë, varrezat u bënë qytet më vete, trëndafilat u derdhën në vargje të dlira, Labëria ime, pse pate kaq derte...?!
Ti, ndër shoqesh, në rrebesh e në stuhi,
vetëtimat gëlltite nga çdo re,
veshur me urti dhe trimëri,
kur buçste shiu, kur frynte erë.
Më çfaqet si një bekim fëmijëria,
të moçmit që ngriti historia,
aromë portokallesh, brigjet, gjithësia,
lot e iso, përçojnë ditët e mia.
E sot, të shkruaj nga përtej detit,
dy fjalë malli larë në vesë;
oh, moj llahtarë, shpirti më diell,
në tokat e tua të vdes.
Commenti