KUR UNË TË MOS JEM ...
- edlira jorgji doko
- 18 dic 2015
- Tempo di lettura: 1 min

KUR UNË TË MOS JEM ...
Ndoshta do më kërkosh një ditë, atje, tek "Çesma e Kryqit", në të dalë, ndiqe, ndiqe rrjedhën e mos ki frikë, sipër ujit do gjesh një letër të bardhë.
Mos e lexo në moment, agun prit, në të gdhirë, kur del vesa e larë, në barin e njomë të porsambirë, shtrihu mbi ëndërr, mbi rrezen e artë...
E mos qaj, se jam aty pranë, por oh, lotin tënd fshije me timin, e mos mendo kurrë që të lashë, kështu ma largon dhe mua trishtimin.
Kur një ditë për mua të marr malli, në mëngjes kalëro erën e marrë, dhe kur mbi mal të dalë dielli, ti eja, vetëtimthi me dritën e parë.
Kur një ditë të mungoj zjarri im, e gjen atje tek vendi ynë, në krua, në këngët tona, në pëshpërimat e fshehta, që qeshin plot hare, me ty, me mua.
Kur një ditë unë të mos jem më, do të ndiesh ajrin të të mungojë, por mos u ligështo në shpirt, jo, do të jemi larg për pak kohë....!
Comments